✨ Mirë se erdhët në Duart e Arta Albania! ✨
Këtu do të gjeni një botë krijimtarie ku çdo punim handmade mbart një histori, një frymëzim dhe një prekje unike arti. Faqja jonë është e dedikuar për të sjellë më pranë jush punime të punuara me dashuri, që ruajnë traditën dhe kulturën shqiptare, por njëkohësisht sjellin edhe ide moderne e kreative.
Çdo produkt është i veçantë, i punuar me kujdes dhe pasion, duke e bërë jo vetëm një dhuratë të bukur për veten apo të dashurit tuaj, por edhe një simbol të vlerës së artizanatit të mirëfilltë.
Ju ftojmë të eksploroni koleksionin tonë dhe të bëheni pjesë e një rrugëtimi ku arti, tradita dhe eleganca bashkohen në një emër: Duart e Arta Albania. 🌸
Ketu do gjejmë punimet e artizaneve tona!
Albana Prendi
Jam artizane me mbi 17 vite përvojë në krijimin e bizhuterive dhe punimeve artizanale që frymëzohen nga bregdeti shqiptar. Realizoj me dorë bizhuteri dhe aksesorë unikë nga materiale natyrore si guacka, rruza dhe fije dekorative.
Së fundmi kam sjellë një linjë çantash makrame me stil modern, të punuara me dashuri për femra që duan diçka autentike.Punimet i gjeni gjatë verës dhe online në Instagram, ku ofroj edhe porosi të personalizuara.
Aleksandra Gjinko
Bëj punime të ndryshme të cilat janë kryesisht me grep dhe me teknikën Macrame. Punoj me dëshirë e pasion çfarëdo lloj punimi. Përmes pasionit tim kam ruajtur dhe përcjell traditën ndër breza.
Anida Zguri
Puna e dorës është pasion për mua. Zotëroj punishten me emrin “Mena” e cila ndodhet në Fshatin Turstik Voskopojë, ku promovoj dhe shes produkte të ndryshme artizanale. Punishtja jonë trashëgon kulturën dhe vlerat artizanal ! Me shumë punë dhe përkushtim ja kemi aritur qëllimit .
Fatbardha Meta
Punimet artizanale janë pasioni im. Më pëlqen të krijoj me duar, të sjell ide të reja dhe të shpreh përmes artit dashurinë për bukurinë. Punimet artizanale më japin qetësi, kënaqësi dhe gëzim, sidomos kur çdo punim merr formë dhe sjell buzëqeshje tek të tjerët. Besoj se çdo gjë e bukur lind nga dashuria, dhe krijimi me dashuri e bën çdo punim unik e plot jetë. Bëj punime të ndryshme me resinë. Çanta dhe bizhuteri me punime te ndryshme, rruaza, grep, makrame, tatting.
Antoneta Tafka
Unë jam Antoneta, artizane dhe merrem me të gjitha llojet e punimeve të dorës, me qëndisje , punime me grep dhe me shtiza. Të jesh artizane është pë mua përveç se një pasion, është një vlerësim për të bukurën dhe traditën.
Eranda Murati
“Mirë se vini në botën e çantave artizanale!
Çdo copë që krijoj është unike, punuar me dashuri me grep dhe zbukuruar me rruaza të hollë. Synimi im është të krijoj çanta që nuk janë vetëm funksionale, por edhe të veccanta dhe me stil. Çdo detaj ka rëndësi dhe ccdo produkt tregon pasionin dhe kreativitetin tim. Faleminderit që vlerësoni artizanatin dhe mbështesni punë e dorës sime!”
Kimete Imeri
Me punimet artizanale kam filluar që nga viti 1993. Punoja mbulesa për beba, komplete për beba, fustane të punuar me grep dhe shtiza. Kam punuar jastëkë zbukurimi për divane me endje në një kornizë druri. Në vijim kam bërë punime me rruaza, kam punuar çentro për mobile, punime me grep, si dhe kam punuar dhe në punime të imta dhe në mbulesa krevati. Prej dy vitesh kam filluar bëj çanta. Punën e dorës e bëj sepse e kam pasion por edhe siguroj të ardhura për familjen. Këtë pasion e kam të trashëguar nga mamaja ime, një duarartë e cila më herët qepte jorganë si pajë për vajzat. Punoj më shumë dëshirë punën e dorës.
Fatmira Çiça
Jam Fatmira, me profesion ekonomiste. Më pëlqen puna e dorës. Punoj me shtiza, grep dhe qëndisma të ndryshme. Ju ftoj të njiheni nga më afër me punimet e mia.
Lize Deda
Jam Lize Deda. Puna e dorës është pasion për mua. Kam nisur të bëj punë dore që në moshën 15 vjeçare. Punoj me shtiza, qendisje me age dhe me gjilpërë.
Manushaqe Arifaj
Puna e dores është pasioni im më i madh. Çdo gjë që punoj është unike. Realizoj dekore për ambjente shtëpie hotele studio si dhe fashion. Një nga specialitetet e mia është puna me teknikën Macrame.
Hatixhe Rapa
Jam Hatixhe, që prej rinisë time kam filluar të kem pasion bërjen e punëve të dorës, një traditë e trashëguar me shumë dashuri nga familja ime. Pavarësisht sfidës dhe lodhjes që bërja e punimeve të tilla ka, është një punë që të sjell kënaqësi, veccanërisht kur merr vlerësimin nga klientët. Edhe sot pas shumë vitesh, vijoj me të njëjtin pasion e përkushtim për të sjellë më të mirën në teknikën dhe origjinalitetin e punimeve.
Xhuana Plaku
Kam filluar të merrem me punë dore që prej moshës 8 vjeçare. Punën e dorës e kam trashëguar nga nëna ime e cila më mësonte modele të ndryshme. Realizoj punime të ndryshme: triko, çentro, punime me rruaza si byrzylykë, çanta, shporta për fruta dhe qerasje si dhe vazo dhe xhami zbukurimi.
Floresha Plaku
Jam Floresha, më pëlqen të bëj punime dore, zanat të cilin e ushtroj me dëshirë të pareshtur që prej 25 vitesh. Realizoj punime të ndryshme me shtiza, me grep, të tilla si çanta, triko, kapuçë. Qëndismat me grep e kryq janë gjithashtu pjesë e punimeve të mia. Duke qenë se jam aftësuar në pjesën e qëndistarisë dhe rrobaqepsisë, kam dëshirë që të ofroj edhe më shumë punime me qëndisje dhe të shumëllojshme për ata që e duan dhe vlerësojnë të bukurën.
Engjellushe Spada
Fillesat e mija të punës kanë që në vitin 1993. Kam filluar me punimet tradicionale në fillim, e më pas fillova duke mesuar dhe praktikuar punimet moderne. Kam marrë pjesë në shumë panaire si brenda vendit dhe jashtë. Kam bërë markën time të punës që të kem mundësinë për të bërë dhe export të produkteve të mia handmade. Me kalimin e viteve kam pasur dëshirë që punën time ta ndaja dhe me vajza të tjera, kështu kam krijuar mundësinë të hapja një klasë të vogël duke dhënë mësim vajzave të reja, duke trasheguar kështu punimet tradicionale në breza.
Vislet Lici
Si një artizane që jeton në një zonë që ruan traditën, prej vitesh bëj me dëshirë punime dore të ndryshme dhe kryesisht punime me rruaza të përshtatshme për këdo.
Margarita Laçka
Jam Margarita. Prej shumë vitesh punoj si artizane në Tushemisht. Bëj punime të ndryshme me grep, shtiza, etj. Një pjesë e rëndësishme e punës sime është mbledhja dhe shitja e bimëve të ndryshme natyrore e medicinale.
Etleva Taho
Jam Etleva, prej 30 vitesh bëj punime me grep e shtiza, për fëmijë dhe të rritur, një pasion i trashëguar me dashuri prej gjysheve.
Fatime Kollcaku
Jam Fatime dhe me kënaqësi po ndaj me ju punimet e mia të realizuara me shumë dashuri. Pasioni për të ruajtur traditën më ka nxitur që t’ë përkushtohem në gjithë këto vite.
Haxhe Dema
Jam Haxhe. Pasionin per punen e dores e kam trasheguar nga familjaret. Realizoj punime te ndryshime, me shtiza dhe me grep. Punoj triko, mbulesa tavolinash, komplete per femije, fustane etj.
Brunilda Zguro
Jam artizane me përvojë 40 vjeçare. Merrem stilim dhe modë, e certifikuar me patentën time në një projekt të UNESCOs. Kam bërë 6 sfilata mode për të rritur e fëmijë. Instruktore ART Craft dhe fashion design pranë Qytezës së Fëmijëve Korçë prej 10 vjetësh. Certifikuar në shumë aktivitete brenda dhe jashtë vendit si artizane. Pjesëmarrëse në evente të ndryshme në fushën e modës.
















































































